Gjyqtarët e Kosovës kanë marrë pjesë në Turneun Ndërkombëtar “Copenhagen Invitational 2025”, të zhvilluar nga data 6 deri më 9 qershor në Danimarkë.
Ky turne, i njohur nga FIBA Europe, është një nga më prestigjiozët për grupmoshat U13, U14 dhe U15, me pjesëmarrjen e 48 ekipeve nga 13 shtete, 555 lojtarë, 120 ndeshje, dhe mbi 30 gjyqtarë nga mbarë bota.
Arritjet Kryesore të Gjyqtarëve nga Kosova:
Arian Thaçi ishte gjyqtar kryesor në finalen e U14 Meshkuj, mes Above Stockholm (SE) dhe SCC Ploskyriv (UA) – arritja më e lartë në këtë turne.
Artan Kurtalani gjykoi ndeshjen për medaljen e bronztë në U13 Femra, BK Amager (DK) - Vilnius Basketball School (LT).
Dren Pudarolli gjykoi ndeshjen për medaljen e bronztë në U14 Meshkuj, BK Brandýs (CZ) – Lobas (SE).
Ilir Shala, Drin Skwnderi, Erzen Haxhani dhe Drin Shabani ishin pjesë e ndeshjeve gjysmëfinale, duke treguar nivel të lartë gjykimi, disiplinë dhe besueshmëri ndërkombëtare.
Paralelisht me ndeshjet, të gjithë gjyqtarët morën pjesë në kliniken ndërkombëtare 3PO, të zhvilluar nga FIBA Europe dhe e udhëhequr nga instruktori i njohur, Oskars Lucis (Letoni) – një figurë me përvojë të jashtëzakonshme në basketbollin evropian.
Lucis ishte përgjegjës për strukturën, përmbajtjen dhe nivelin teknik të Klinikës, duke ndarë përvojën e tij me secilin gjyqtar pjesëmarrës.
Çfarë përfshiu Klinika?
3 Sesione Teorike: (E premte, e shtunë, e diel)
5–6 ndeshje për çdo gjyqtar, me nga 3 ndeshje në ditë
Gjykim me sistemin 3-Person Officiating (3PO)
Trajnim nga instruktorë dhe gjyqtarë elitarë
Analizë video e përditshme në 7 grupe gjyqtarësh, ku secili grup analizonte nga 2 klipe të lojës
Në mesin e ligjëruesve ishin edhe:
Gatis Saliņs (Letoni) – gjyqtar olimpik në Paris 2024, BCL dhe FIBA Elite
Tanel Suslov (Estoni) – gjyqtar në BCL dhe FIBA Europe Cup
Juozas Barkauskas (Lituani) – gjyqtar në Ligën Lituaneze dhe FIBA
Pjesëmarrja e gjyqtarëve nga Kosova në “Copenhagen Invitational 2025” përbën një tjetër hap përpara në ngritjen profesionale të gjykimit tonë.
Finalja, gjysmëfinalet dhe ndeshjet për medalje të bronztë janë dëshmi e rritjes së reputacionit dhe besimit që komuniteti ndërkombëtar i gjyqtarëve po tregon ndaj Kosovës.
Federata e Basketbollit e Kosovës do të vazhdojë të mbështesë fuqishëm zhvillimin e gjyqtarëve tanë dhe pjesëmarrjen në evente të tilla elitare.