Bashkimi pas vazhdimeve arriti fitore ndaj Pejës me rezultat 84:78 (17:17, 12:17, 23:16, 17:19, 15:9).
Tashmë Portokallezinjtë po udhëheqin 2:1 në serinë gjysmëfinale. Skuadra që shënon tri fitore kualifikohet në finale.
Çereku i parë i ndeshjes ishte mjaft interesant. Mysafirët kishin deri në shtatë pikë epërsi 10:17, por një seri e suksesshme e vendasve me shtatë pikë radhazi, bën që kjo pjesë të përfundojë 17:17. Edhe periudhën e dytë, verdhezinjtë e nisën më mirë, për tu shkëputur në 17:25, por sërish u kundërpërgjigjën vendasit, për të afruar shifrat në 25:26, ndërsa në fund të kësaj pjese, mysafirët sërish për një nuancë ishin më të mirë, për të shkuar në pushim me shifrat 29:34.
Periodën e tretë e nisën më mirë vendasit që përmbysën shifrat në 38:36, ndërsa shifrat pas 30 minutash ishin 52:50. Drama vazhdoi në dhjetëminutëshin e katërt. Edhe pse prizrenasit kishin shtatë pikë epërsi, dy minuta nga fundi, Peja nuk u dorëzua dhe barazoi shifrat në 69:69, me një treshe nga Towns, derisa aksioni i fundit i vendasve nuk ishte i suksesshëm, duke bërë që ndeshja të shkojë në vazhdime. Edhe në vazhdime u zhvillua lojë interesante, ku kësaj radhe vendasit nuk lëshuan pe dhe fituan 84:78.
Te Bashkimi u dalluan Lejson Zeqiri me 27 pikë e tri kërcime dhe Jayveous Mckinnis me 12 pikë e nëntë kërcime, kurse Wendell Green shtoi 19 pikë.
Te Peja u dalluan Marques Towns me 27 pikë e gjashtë kërcime dhe Darryl Morsell me 13 pikë e gjashtë kërcime.