Trepça triumfoi në gjysmëfinalen e tretë të “Play-off”-it të ProCredit Superligës ndaj Sigal Prishtinës me shifrat 67:61 (17:22, 23:11, 18:23, 9:5).
‘Xehetarët’ tani janë në epërsi 2:1. Ndeshja e radhës zhvillohet në kryeqytet, derisa skuadra që shënon tri fitore kualifikohet në finale.
Mysafirët e nisën ndeshjen shumë më mirë me një seri prej 0:7, kurse kundërpërgjigja e vendasve ishte e shpejt për 12:7, sidoqoftë, bardhekaltrit e fituan çerekun e parë 17:22. Periudha e dytë në tërësi u takoi mitrovicasve. Ata ishin më të mirë në mbrojtje e në sulm, duke përmbysur shifrat dhe shkuan në pushim me shtatë pikë epërsi 40:33.
Bardhekaltrit nuk udhëtuan për tu dorëzuar dhe sërish përmbysën shifrat në periodën e tretë, në 40:44, e më pas zhvillohet një lojë mjaft interesante, ku shifrat pas 30 minutash ishin 58:56. Në dhjetë minutat e fundit u shënuan shumë pak pikë, madje mysafirët për tetë minuta shënuan vetëm një pikë, ndërsa vendasit triumfuan në fund, 67:61.
Te Trepça u dallua Michael Myers Jr me 15 pikë e tetë kërcime, ndërsa te Sigal Prishtina më i miri ishte Donte Clark me 18 pikë, katër kërcime e katër asistime.