Viti 2024 ka qenë një udhëtim i suksesshëm për Federatën e Basketbollit të Kosovës (FBK). Falë bashkëpunimeve strategjike dhe punës së palodhur të klubeve, trajnerëve dhe lojtarëve, basketbolli kosovar vazhdon të frymëzojë gjeneratat e ardhshme dhe të ngritë standardet në arenën ndërkombëtare.
Më poshtë gjeni ngjarjet që e përshkruan vitin 2024 në basketbollin e Kosovës:
MKRS mbështetëse kyçe e suksesit të FBK-së në 2024!
Federata e Basketbollit e Kosovës gjatë vitit 2024 ka nënshkruar Memorandumin e Bashkëpunimit me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS). Ky partneritet strategjik ka luajtur një rol vendimtar në organizimin dhe zhvillimin e basketbollit në vend.
Falë angazhimit dhe mbështetjes së MKRS, FBK ka realizuar me sukses organizimin e pesë ngjarjeve të rëndësishme ndërkombëtare që kanë vendosur Kosovën në hartën globale të basketbollit:
Ky bashkëpunim është dëshmi e përkushtimit të përbashkët për të çuar përpara sportin dhe për të promovuar Kosovën si një destinacion të rëndësishëm të basketbollit ndërkombëtar.
FBK vazhdon partneritetet e rëndësishme në 2024
Federata e Basketbollit të Kosovës është krenare që në vitin 2024 ka rinovuar bashkëpunimin me partnerët tanë besnikë: TEB Bank, Art Motion, Albi Mall, Auto Mita, Tregtia dhe Korporata Rugove.
Këto kompani nuk janë thjesht sponsorë; ato janë partnerë strategjikë që ndajnë vizionin tonë për rritjen dhe zhvillimin e basketbollit në Kosovë.
TEB Bank do të vazhdojë të mbështesë me krenari Përfaqësueset e Kosovës, duke investuar në suksesin e tyre ndërkombëtar.
Art Motion, si partner medial, do të sjellë emocionet e garave të basketbollit direkt në ekranet tuaja, duke i afruar tifozët më shumë se kurrë më parë.
Albi Mall, Auto Mita dhe Korporata Rugove mbeten shtylla kryesore për organizimin e garave dhe aktiviteteve që pasurojnë basketbollin tonë.
FBK dhe partnerët e saj po ndërtojnë së bashku një të ardhme më të ndritur për basketbollin kosovar. Falë mbështetjes suaj, ne vazhdojmë të rritemi dhe të frymëzojmë gjeneratat e reja!
ProCredit Bank sponsor zyrtar i Superligës së Kosovës
Federata e Basketbollit të Kosovës me kënaqësi të madhe e ka zyrtarizuar një partneritet të jashtëzakonshëm me ProCredit Bank, një nga institucionet më të rëndësishme financiare në vend. Ky bashkëpunim i ri sjell një dimension të ri dhe energji të freskët në basketbollin kosovar. Me një marrëveshje 4-vjeçare, ProCredit Bank dhe FBK po vendosin themele të forta për të mbështetur dhe zhvilluar sportin më të dashur të Kosovës. Ky edicion i Superligës pritet të jetë një ndër më emocionuesit deri më tani, falë rivalitetit të fortë mes 8 skuadrave dhe mbështetjes së jashtëzakonshme nga sponsori i ri. ProCredit Bank nuk është vetëm sponsor; është një partner që ndan vizionin tonë për të çuar basketbollin kosovar në nivele të reja! Bashkë, do të sjellim më shumë emocion, cilësi dhe inovacion në këtë sport që na bashkon të gjithëve.
Boston Celtics (Lidhja e Prizrenit) fiton edicionin e dytë të JR NBA Kosova
Në muajin janar ka përfunduar edicioni i dytë i JR NBA Kosovës, një projekt për zhvillimin e gjeneratave të reja. Pas garave që u zhvilluan në qytetet e mëdha të Kosovës në Prishtinë u zhvillua Final 4 i kësaj gare. Finalja u zhvillua mes Boston-it dhe Portland-it, ku Boston Celtics (Lidhja e Prizrenit) ishte më i mirë dhe fitoi me 54:22. Jr NBA Kosova është një projekt madhor i Federatës së Basketbollit të Kosovës në bashkëpunim me Federatën e Sportit Shkollor të Kosovës, mbështetur nga liga më e fortë e basketbollit në botë, NBA.
Nis programi “Sport në Shkolla”
Më 26 janar zyrtarisht ka nisur programi “Sport në Shkolla”. Ky program është hartuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, Shkencës Teknologjisë dhe Inovacionit dhe Federatën e Sportit Shkollor të Kosovës. Pjesë e këtij programi është Federata e Basketbollit e Kosovës me basketbollin 3x3 dhe Federata e Shahut të Kosovës. Programi “Sport në Shkolla” ka filluar me zbatimin e kurseve të rregullta sportive për nxënësit, si dhe pajisjen e shkollave me mjetet e nevojshme për sportin e shahut dhe basketbollit, me qasje të plotë dhe pa pagesë për të gjithë nxënësit brenda mjedisit shkollor dhe në raste të caktuara edhe në hapësira sportive jashtë shkollës. Faza pilotuese e “Sport në Shkolla” ka filluar në gjysmë vjetorin e vitit të kaluar, në 49 shkolla të 23 komunave të Kosovës, nëpërmjet trajnimit të mësimdhënësve për zbatimin e programit në sportin e basketbollit dhe të shahut.
FBK lanson projektin shumë të rëndësishëm Safeguading the Future
Federata e Basketbollit e Kosovës ka lansuar më 27 janar projektin shumë të rëndësishëm Safeguarding dhe Future, i fituar në kuadër të programeve të Erasmus +. Qëllimi kryesor i projektit është të ndërmarrë veprime për të mbrojtur njerëzit nga çdo lloj abuzimi në basketboll. Po ashtu është organizuar Punëtoria e Parë në mes përfaqësuesve të Federatave Nacionale që janë pjesë e projektit, ku janë shpalosur të gjitha Paketat e Punës në kuadër të këtij projekti. Federata e Basketbollit e Kosovës është koordinatore e këtij projekti, kurse partnere janë Federata e Basketbollit e Estonisë dhe Bullgarisë, si dhe Shoqata e Trajnerëve të Basketbollit të Kosovës.
Spektakli i Final 8 në Gjakovë
Nga 13 deri më 17 shkurt u zhvillua Final 8 i Kupës së Kosovës në Gjakovë, që ishte një spektakël i basketbollit, si në parket, ashtu edhe në tribuna.
E treta radhazi për Trepçën
Trepça është fituese e Kupës së Kosovës në basketboll. Mitrovicasit në një super finale dhe një super triler kanë mundur Sigal Prishtinën me 71:69. MVP i finales është shpallur Drilon Hajrizi.
Bashkimi fiton për herë të tretë radhazi
Bashkimi ka triumfuar sërish në Kupën e Kosovës për femra për herë të tretë radhazi. Skuadra prizrenase në finale fitoi ndaj Prishtinës me rezultat 75: 56. MVP e finales është shpallur Arbnore Përquku.
Bora fiton Kupën e Ligës së Parë
Bora ka triumfuar në Kupën e Ligës së Parë. Prishtinasit në finale kanë shënuar fitore ndaj New Basket me rezultat 91:72. MVP i Kupës së Ligës së Parë është shpallur Dion Haxhosaj.
Kosova fitoi ndaj Irlandës dhe pësoi nga Azerbajxhani
Kosova në shkurt për parakualifikimet evropiane për FIBA Kupën e Botës 2027, zhvilloi dy ndeshje, duke shënuar një fitore dhe pësoi një humbje. Dardanët në palestrën e mbushur në Prishtinë, fituan ndaj Irlandës 83:76 falë edhe përkrahjes së parezervë të shikuesve të pranishëm në palestrën e vogël në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë. Ndërkohë, Dardanët në Baku pësuan humbje nga Azerbajxhani 87:77. Kosova në këto parakualifikime është në një grup me Irlandën, Zvicrën dhe Azerbajxhanin.
U mbajt Kuvendi i Punës i FBK-së
Federata e Basketbollit e Kosovës më 13 mars ka mbajtur Kuvendin e Punës. Në këtë Kuvend morën pjesë 25 delegatë nga 32 sa numëron gjithsej. Fetahu ka prezantuar punën që është bërë nga FBK në vitin 2023 dhe punën që e pret FBK-në në vitin 2024. Gjithashtu janë miratuar raportet e punës, financiare dhe auditimit për 2023, si dhe plani i veprimit, financiar dhe i marketingut për 2024.
Trepça te meshkujt dhe Prishtina te femrat triumfojnë në Ligën Unike
Në një super finale në Vlorë, aty ku u zhvillua faza e Final 8, me katër skuadrat më të mira nga Kosova dhe katër nga Shqipëria, ka qenë Trepça, që ka triumfuar në finalen dramatike, të vendosur në sekondat e fundit. Mitrovicasit fituan me rezultat 67:66 ndaj Golden Eagle Yllit, edhe pse ishin duke humbur me 13 pikë dallim, por ishte Darnell Edge, hero i ‘Xehetarëve’ me shtatë pikë radhazi në fund, duke u shpallur edhe MVP i Ligës Unike. Ndërkaq në konkurrencën e femrave basketbollistet e Prishtinës kanë triumfuar në Liga Unike Femrat. Skuadra prishtinase në finale triumfoi ndaj Bashkimit me rezultat 49:92. Çmimi MVP i ka takuar Asianae Johnson, e cila e mbylli ndeshjen me 27 pikë e dhjetë kërcime.
Vazhdon tradita e organizimit të FIBA SCOD Klinikës së Gjyqtarëve të FBK-së
Më 1 prill është organizuar FIBA SCOD Klinika për Gjyqtarët e FBK-së. Klinika u organizua nga Federata e Basketbollit e Kosovës në bashkëpunim me Departamentin e Gjyqtarëve të FIBA-s. Në FIBA SCOD Klinikë mes sezonale pjesëmarrës kanë qenë 36 gjyqtarë nga të gjitha listat e gjyqtarëve të FBK-së. Klinika është udhëhequr nga FIBA Instruktori Nacional, Faton Kurshumlija. Në Klinikë ka ligjëruar edhe Gjorgji Piperkov, Instruktori i Gjyqtarëve të FIBA-s. E njëjta Klinikë është organizuar edhe më 07 e 09 shtator, pra para fillimit të edicionit 2024/25, kurse i pranishëm ka qenë edhe FIBA Referee Instruktori Sinisa Herceg nga Kroacia.
Sigal Prishtina triumfoi për herë të tretë në Ligën Ballkanike
Sigal Prishtina është shpallur kampione e Ligës Ballkanike. Në një finale dramatike, kanë mundur PAYBL AEL Limassol me rezultat 72:67. Bardhekaltrit triumfuan ndaj skuadrës qipriote që kishte përkrahjen nga tifozët vendas, por kjo nuk i ndali prishtinasit, që të luftojnë deri në fund dhe për herë të tretë në histori të fitojnë këtë garë. Më herët e kishin fituar më 2015 dhe 2016. Peja është renditur e treta në këtë garë.
KBF Bashkimi, kampion i Kosovës
Basketbollistet e Bashkimit kanë triumfuar në finale të “play-off”-it ndaj Prishtinës, për të mbrojtur titullin e kampionit, derisa edicionin e suksesshëm e përfunduan me tre trofe, pasi më herët fituan Kupën dhe Superkupën. MVP është shpallur Adrienne Godbold e Bashkimit, e cila mbylli ndeshjen e tretë finale me 26 pikë e 11 kërcime. Duhet theksuar se edhe në edicionin 2023/24 ka qenë skuadra nga Prizreni që ka dominuar në basketbollin femëror, falë një organizimi shumë të mirë si në aspektin sportiv ashtu edhe në atë organizativ.
FBK ka vazhduar me organizimin e kursit për trajnerë, FIBA WABC Niveli 1
Me sukses është organizuar kursi i gjashtë i trajnerëve, FIBA WABC Niveli 1. Ky kurs është organizuar nga 9 deri më 14 prill në “ISP Marigona”, ku për gjashtë ditë intensive ka ligjëruar Instruktori i FIBA-s, Rui Alves nga Portugalia. Kursi është organizuar nga Federata e Basketbollit të Kosovës në bashkëpunim me FIBA-n dhe Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Në fund të Kursit, të gjithë trajnerët/et i janë nënshtruar testimeve teorike dhe praktike.
Qeverisja e Mirë në Sport, tema kyçe e FBK-së në organizimin e seminarit për klube
Më 13 e 14 prill u mbajt seminari dy ditor i organizuar nga Federata e Basketbollit e Kosovës për klubet e basketbollit, me temën “Qeverisja e Mirë në Sport”. Të pranishëm në këtë seminar kanë qenë përfaqësuesit e klubeve të FBK në dy konkurrencat. Ky seminar ka ofruar një mundësi unike për të mësuar strategjitë dhe praktikat më të mira në qeverisjen e sportit, duke përfshirë certifikim nga Academy of Leadership Sciences Switzerland për pjesëmarrësit e kualifikuar. Ligjërues në këtë seminar ishin Agim Çitaku dhe Ennio Bovolenta nga Academy of Leadership Sciences Switzerland.
Fetahu dhe Dushku, pjesëmarrës në Asamblenë e Përgjithshme të FIBA Evropës
Kryetari i Federatës së Basketbollit të Kosovës, Arben Fetahu dhe Sekretarja e Përgjithshme, Elvira Dushku, kanë marrë pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të FIBA Evropës. Asambleja e Përgjithshme e FIBA Evropës është mbajtur më 11 maj në Portoroz të Sllovenisë. Asamblenë e Përgjithshme e ka kryesuar Presidenti i FIBA Europes, Jorge Garbajosa. Gjithashtu në Portoroz është organizuar edhe takimi i radhës i Sekretarëve të Përgjithshëm të FIBA Evropës.
Trepça, kampione e Kosovës
Trepça është shpallur kampione e Kosovës. Në një super ndeshje dhe në një super kampionat, mitrovicasit triumfuan me 67:66 në ndeshjen e pestë finale ndaj Golden Eagle Yllit në një super atmosferë në Mitrovicë. MVP është shpallur Darnell Edge. ‘Xehetarët’ fituan 3:2 ndaj therandasve në serinë finale të “play-offit”. Duhet theksuar se edicioni 2023/24 ka qenë ndër më të shikuarit që nga paslufta, dhe me interesimin më të madh, përfshirë atë nga sponsorët dhe nga mediat.
FIBA 3x3 Europe Cup Qualifier është mbajtur në Prishtinë
Në Prishtinë më 8 e 9 qershor u zhvillua me spektakël gara e FIBA 3x3 Europe Cup Qualifier Kjo ngjarje e basketbollit u organizua për herë të parë në vendin tonë, ndërsa morën pjesë 16 shtete në të dyja konkurrencat, derisa në fund, triumfoi Azerbajxhani në të dyja konkurrencat për tu kualifikuar në FIBA 3x3 Europe Cup. Në këtë garë mori pjesë edhe Kosova në të dyja konkurrencat.
Norvegjia triumfoi në FIBA Kampionatin Evropian për Shtete të Vogla në Prishtinë
Norvegjia është shpallur kampione e FIBA Kampionatit Evropian për Shtete të Vogla për femra, që u mbajt nga 25 deri më 30 qershor në Prishtinë. Norvegjia në finale ka mundur Maltën me rezultat 54:61. Në Top 5 të këtij Evropiani kanë hyrë: Amber Melgoza e Maltës, Tori Halvorsen dhe Aurora Sorbye të Norvegjisë, Marissa Pangalos e Qipros dhe Ornela Lalaj e Shqipërisë. Ndërkohë, MVP është shpallur Amber Melgoza e Maltës. Në këtë Evropian, Shqipëria u rendit e treta pasi mundi Qipron 73:61. Kosova është renditur e pesta. Në ndeshjen për vendin e shtatë, Andorra mundi Gjeorgjinë 80:49.
Kosova U16 triumfoi në FIBA U16 Kampionatin Evropian, Divizioni C dhe u kualifikua për Divizionin B
Kosova U16 në konkurrencën e meshkujve ka triumfuar në finalen e FIBA U16 Kampionatit Evropian, Divizioni C ndaj Shqipërisë me rezultat 61:101 që u organizua në Tiranë. Te Kosova shkëlqyen Besim Bytyqi me 22 pikë, 9 kërcime dhe 5 asistime si dhe Lis Binishi me 20 pikë, 10 kërcime dhe 6 asistime. Kosova e mbylli Evropianin pa asnjë humbje ndërsa në 2025 do të luaj në një rang më lartë, në Divizionin B për grupmoshën U16. Yll Kastrati është shpallur MVP i turneut, derisa Binishi hyri në Top 5. FBK në garat zyrtare të FIBA në verën e vitit 2024 është paraqitur edhe me Kosova U18 dhe Kosova U20 në FIBA Kampionate Evropiane, Divizione B.
Vazhdon me sukses zbatimi i projektit PROMISE
Ndër aktivitetet e shumta që janë organizuar në kuadër të projektit PROMISE (Një Hap Përpara për Basketbollin e Vajzave dhe Grave) ishte Kampusi Ndërkombëtar, që u zhvillua në Bordeaux , nga 8 deri më 12 korrik. Kampi mblodhi përfaqësues nga Kosova, Bullgaria, Spanja, Franca, Irlanda dhe Portugalia, duke krijuar një ambient të pasur ndërkombëtar. Gjatë këtij kampusi, pjesëmarrëset nga Kosova, përfshirë pesë lojtare, një trajnere, një gjyqtare dhe dy përfaqësuese nga FBK, morën pjesë në një sërë aktivitetesh të ndryshme. Objektivi i përgjithshëm i projektit "PROMISE" është të promovojë përfshirjen dhe pjesëmarrjen e vajzave dhe grave në basketboll në të gjitha nivelet e përgjegjësive nëpërmjet hartimit, zbatimit dhe vlerësimit të një programi gjithëpërfshirës të ndërhyrjes.
U organizua Kampi Nacional i FBK-së me synimin zbulimin e talenteve
Prej 08 deri më 13 korrik është mbajtur Kampi Nacional i Federatës së Basketbollit të Kosovës, në kuadër të projektit FIBA Europe Youth Development Fund (FIBA Europe YDF). Kampi ka mbledhur fëmijët e lindur në vitet 2011-2012 dhe është organizuar në ambientet e Gjimnazit “Loyola” në Prizren. Kampi mbahet çdo vit nga Federata e Basketbollit e Kosovës, që ka synim zhvillimin dhe gjetjen e talenteve për të ardhmen, në kuadër të projektit të përbashkët me Turqinë, Rumaninë, Bullgarinë dhe Maqedoninë e Veriut, pjesë e projektit FIBA Europe YDF, ku përveç kampit organizohen edhe turne në çdo shtet dhe atë në të dyja konkurrencat, djem e vajza.
Spanja, triumfoi në Prishtinë
Spanja është triumfuese e FIBA 3x3 Women’s Series, që u zhvillua në Prishtinë më 18 e 19 korrik. Në këtë event morën pjesë tetë shtete, ndër to edhe Kosova, dhe për dy ditë u zhvilluan ndeshje mjaft cilësore në Sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë. Në fund triumfoi Spanja, që në finale ishte më e mirë se Gyor-i i Hungarisë me shifrat 19:14. Vega Gimeno u shpall MVP. Ky event u organizua nga klubi 3x3 Prishtina dhe në mbështetje nga Ministria për Kulturë, Rini e Sport, Federata e Basketbollit e Kosovës dhe Komuna e Prishtinës.
Riffa nga Bahrejn fiton garën në FIBA 3x3 Prishtina Challenger
Më 20-21 korrik është organizuar gara ndërkombëtare FIBA 3x3 Prishtina Challenger, ku për asnjë çast nuk ka munguar spektakli si në fushë ashtu edhe në tribuna. Në këtë event morën pjesën 16 skuadra nga mbarë bota, në mesin e tyre edhe ajo vendase, Prishtina. Finalja u zhvillua mes Riffa-s nga Bahrejni dhe Podgoricës nga Mali i Zi. Në fund skuadra nga Bahrejni triumfoi me 21:13. MVP u shpall Dennis Donkor. Ky event u organizua nga klubi 3x3 Prishtina dhe në mbështetje nga Ministria për Kulturë, Rini e Sport, Federata e Basketbollit e Kosovës dhe Komuna e Prishtinës.
Çikat e Kosovës, kampione të FIBA U18 EuroBasket, Divizioni C
Kosova është shpallur kampione e FIBA U18 Women’s EuroBasket, Divizioni C. Ky Evropian u zhvillua në Prishtinë nga 23 deri më 28 korrik, derisa përfundoi në mënyrën më të mirë të mundshme me triumfin e basketbollisteve të Kosovës. Dardanet në finale triumfuan ndaj Azerbajxhanit me rezultat 75:65.
Në Top 5 ishin: Dimitra Eftychiou e Qipros, Martina Haxhiu e Shqipërisë, Silan Akbingol e Azerbajxhanit, Flutra Mehmeti e Kosovës dhe Angelina Ismayilova e Azerbajxhanit. MVP e Evropianit është shpallur Flutra Mehmeti. FBK në garat zyrtare të FIBA në verën e vitit 2024 është paraqitur edhe me Kosova U16 në FIBA Kampionatin Evropian, Divizioni B për Vajza.
Gjyqtarët nga Kosova gjykuan në garat evropiane gjatë verës
Gjyqtarët nga Kosova kanë gjykuar në garat evropiane, që u zhvilluan gjatë verës.
Xhelal Mumini ka gjykuar në FIBA U20 EuroBasket Division B për meshkuj, që u zhvillua në Pitesti të Rumanisë.
Ngadhnjim Shabani ka gjykuar në FIBA U18 EuroBasket Division B për meshkuj, që u zhvillua në Shkup të Maqedonisë Veriore nga 26 korriku deri më 4 gusht.
Elldin Uglari ka gjykuar në FIBA Kampionatin Evropian për Shtete të Vogla, që u zhvillua në Prishtinë nga 25 deri më 30 qershor.
Uglari po ashtu ka gjykuar në U16 Women’s EuroBasket, Division B që u zhvillua nga 15 deri më 24 gusht në Konja të Turqisë.
Amar Xhokovic gjykoi në FIBA Kampionatin Evropian për U18 Femra, Divizioni C, që u zhvillua në Prishtinë nga 23 deri më 28 korrik, si dhe FIBA U16 EuroBasket Division C, që u zhvillua në Tiranë nga 9 deri më 14 korrik.
Arben Fetahu rizgjidhet kryetar i FBK-së
Arben Fetahu është rizgjedhur Kryetar i Federatës së Basketbollit të Kosovës.
Në Kuvendin e Rregullt Zgjedhor të mbajtur më 30 gusht kanë marrë pjesë 31 delegatë nga 33 sa numëron Kuvendi dhe më të gjitha votat pro, Fetahu do të vazhdoj të drejtojë basketbollin e Kosovës edhe për katër vitet e ardhshme. Fetahu ishte zgjidhur kryetar i FBK-së në vitin 2018, duke pasuar Erolld Belegun, derisa më 2020 vazhdoi mandatin për katër vitet e ardhshme.
Më pas janë zgjidhur nënkryetarët e FBK-së që për katër vitet e ardhshme do të jenë: Fatmir Gashi dhe Artan Kurti. Ndërkohë, anëtarë të Bordit të FBK-së për katër vitet e ardhshme do të jenë: Teuta Abdullahu, Arben Polloshka, Dardan Kasapolli, Ideal Bakija, Florian Miftari, Egzon Fetiu dhe Rrahman Përteshi.
FBK dhe FIBA organizuan seminarin për fuqizimin e klubeve
Me sukses është organizuar seminari dy ditor (31 gusht-1 shtator) për fuqizimin e klubeve i organizuar nga Federata e Basketbollit e Kosovës dhe FIBA. Në këtë seminar për dy ditë radhazi kanë ligjëruar ekspertë nga FIBA: Benjamin Gauther, Petras Jasiunas, Geof Wilson dhe Darren Young. Ndërkaq, temat e seminarit ishin: Identiteti i Markës, Përmbajtja Digjitale, Video përmbajtja, Email Marketing dhe Përvoja e tifozëve në ndeshjet e basketbollit. Seminari kishte për qëllim ofrimin e njohurive për zhvillim, promovim dhe vizibilitet efektiv për klubet e basketbollit duke shfrytëzuar mekanizmat praktik të marketingut dhe promovimit.
FBK vazhdon me zbatimin e projekteve zhvillimore të FIBA Europe
Federata e Basketbollit të Kosovës ka arritur një sukses të madh duke fituar tri projekte të rëndësishme nga FIBA Europe. Për herë të parë FBK është përfituese e programit FIBA Europe Alley-Oop Funding Program, ndërsa në programin Her World, Her Rules është që nga viti 2018, si dhe nga viti 2016 është pjesë e FIBA Europe Youth Development Fund.
Trepça triumfoi për Superkupë
Trepça është triumfuese e Superkupës së Kosovës në basketboll. Në finalen e zhvilluar në Prizren, mitrovicasit kanë fituar ndaj Sigal Prishtinës 73:89, ku me këtë sfidë edhe përfundoi turneu, që u zhvillua nga 7 shtatori, në qytetin e bukur dhe historik. MVP i finales së Superkupës është shpallur Desmond Cambridge Jr, i cili e mbylli ndeshjen me 15 pikë, katër kërcime dhe dy asistime.
FBK fituese e një tjetër projekti Erasmus+, kësaj radhe e projektit inovativ SHOOTER
Federata e Basketbollit e Kosovës ka arritur të përfshihet në projektin inovativ SHOOTER, i cili ka marrë mbështetje nga programi Erasmus+. Projekti udhëhiqet nga Federata e Basketbollit të Katalonisë dhe do të realizohet në bashkëpunim me Federatat e Irlandës, Bullgarisë dhe Kosovës. Partneri teknologjik, Optimal Way, do të jetë përgjegjësi kryesor për drejtimin e transformimit dixhital.
Bashkimi te femrat rrëmbeu Superkupën
Basketbollistet e Bashkimit e kanë fituar Superkupën e Kosovës. Prizrenaset arritën të përsëritin suksesin e edicionit të kaluar, ku në finale shënuan fitore në Pejë ndaj Peja 03 me shifrat 68:49. MVP e Superkupës së Femrave është shpallur Caterrion Thompson, e cila mbylli ndeshjen me 29 pikë dhe 7 kërcime.
Kosova debutoi në e-FIBA season 3
Kosova ka debutuar në kualifikimet e Kampionatit Botëror, eSports Basketball, e-FIBA season 3. Kjo ishte paraqitja e parë në garat ndërkombëtare të këtij sporti shumë atraktiv. Kosova edhe pse bëri paraqitje të mira, pësoi nga Zvicra, Greqia, Franca, Britania e Madhe, Italia dhe Suedia.
FBK lansoi Projektin “Alley-OOP”
Federata e Basketbollit e Kosovës ka lansuar projektin “Alley-OOP,” që ka për qëllim të popullarizojë dhe zgjerojë basketbollin 3x3 në të gjithë Kosovën. Projekti lansohet nga FBK në partneritet me FIBA Evropën.
Projekti nisi me shumë entuziazëm në Prishtinë, e më pas në Gjakovë, derisa do të vazhdojë edhe në qytetet e Prizrenit, Pejës, Mitrovicës dhe Therandës.
Ky udhëtim sportiv përmbyllet me një turne final në Prishtinë, ku do të përballen fituesit e të gjitha qyteteve, të cilët do të përfaqësojnë qytetin e tyre për titullin kampion.
Melda Baliqi në FIBA Europe Get-Together U14 në Rumani
Nga data 11 deri më 13 tetor në Bukuresht u organizuar aktiviteti i FIBA Europe U14 Get-Together. Aktiviteti, i cili kishte si objektiv kryesor zhvillimin e projekteve dhe metodologjive të mësimdhënies për rritjen e brezave të rinj të basketbollistëve/eve, mblodhi 71 përfaqësues nga 28 federata evropiane të basketbollit, si dhe gati 400 trajnerë rumunë. Nga Kosova në këtë ngjarje si e deleguar nga FBK ka marrë pjesë trajnerja me perspektivë, Melda Baliqi. Vitin e ardhshëm, për herë të parë, ky event do të organizohet nga Federata e Basketbollit e Kosovës.
Trajnerët nga Kosova në kursin në Turqi
Katër trajnerë potencialë nga Kosova kanë qenë në Stamboll. Vizita e trajnerëve Vigan Radoni, Era Shatri, Arbnor Behrami dhe Bleartë Berisha është bërë në kuadër të projektit të Fondit për Zhvillim të Gjeneratave të Reja, FIBA Europe Youth Development Fund ku marrin pjesë shtetet si Kosova, Turqia, Bullgaria Maqedonia Veriore dhe Rumania. Ky aktivitet u organizua nga 17 deri më 20 tetor.
Trepça mori pjesë në garat e FIBA Europe Cup
Kampionia e Kosovës, Trepça ka marrë pjesë në grupet e FIBA Europe Cup. Mitrovicasit ishin në një grup shumë të vështirë dhe nuk arritën asnjë fitore, derisa ishin edhe turneun kualifikuar për Ligën e Kampionëve, por pa arritur për të qenë pjesë e kësaj gare. Mitrovicasit ishin në grup me MHP Riesen Ludwigsburg e Gjermanisë, JDA Bourgogne Dijon e Francës dhe Caledonia Gladiators e Skocisë. Peja mori pjesë në kualifikimet e FIBA Europe Cup, por nuk arriti të jetë pjesë e grupeve të kësaj gare.
Jean-Denys Choulet emërohet përzgjedhës i Kosovës
Trajneri me shumë përvojë, Jean-Denys Choulet është emëruar përzgjedhës i Kosovës në basketboll. Jean-Denys Choulet ka nënshkruar kontratë 3 vjeçare me Federatën e Basketbollit të Kosovës. Trajneri francez Jean-Denys Choulet ka përvojë të madhe në karrierën e tij, duke fituar shumë trofe e duke drejtuar shumë skuadra.
Hidhet shorti për JR NBA Kosova
Në një ceremoni zyrtare më 4 nëntor është hedhur shorti për edicionin e ri të JR NBA Kosovës. Projekti për vitin e tretë radhazi po realizohet në vendin tonë pas nënshkrimit të marrëveshjes së bashkëpunimit në mes NBA dhe Federatës së Basketbollit të Kosovës dhe bashkëpunimit të ngushtë me Federatën e Sportit Shkollor. 30 Shkolla Fillore të gjeneratës 11-14 vjeç janë ndarë në dy Konferenca, apo gjashtë Divizione.
Dardanët nuk ia dalin në përballje me Zvicrën dhe Irlandën
Zvicra triumfoi ndaj Kosovës me rezultat 75:43, në kuadër të parakualifikimeve evropiane për FIBA Kupën e Botës 2027. Sfida u zhvillua në Bernë, ku Dardanët kishin përkrahje nga një numër i konsiderueshëm i tifozëve shqiptarë. Kjo ndeshje u zhvillua më 21 nëntor, derisa më 24 u përballën me Irlandën në Dublin, ku edhe pse luftuan deri në fund, humbën me 91:85. Zvicra ka katër fitore, Irlanda dy fitore e dy humbje, ndërsa Kosova dhe Azerbajxhani nga një fitore e tri humbje. Ndeshjet e ardhshme të Kosovës do të jenë në shkurt të vitit të ardhshëm në Prishtinë përballë Azerbajxhanit dhe Zvicrës.
Kampanja “Her World, Her Rules” edhe në Dragash
Federata e Basketbollit e Kosovës më 26 nëntor organizoi një aktivitet të veçantë në Dragash (26 nëntor), në kuadër të kampanjës ndërkombëtare të FIBA-s, “Her World, Her Rules” (HWHR), për të shënuar Ditën Ndërkombëtare Kundër Dhunës ndaj Grave dhe Vajzave. Aktiviteti u zhvillua në bashkëpunim të ngushtë me Komunën e Dragashit, Policinë e Kosovës dhe shkollën “Ruzhdi Berisha”, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit institucional dhe komunitar në promovimin e barazisë dhe sigurisë.
Kosova me 5 grupmosha në arenën ndërkombëtare
Kosova do të paraqitet me pesë grupmosha në të dyja konkurrencat në garat evropiane.
Federata e Basketbollit e Kosovës do të organizojë FIBA U-16 Women’s EuroBasket 2025 Divizioni C, që do të mbahet nga 8 deri 13 korrik 2025.
Përveç me U16F, Kosova do të paraqitet edhe me U20, U18, U16 në konkurrencën e meshkujve dhe U18 te femrat, në Divizionin B.
U20 (Divizioni B) në konkurrencën e meshkujve do të mbahet në Yerevan të Armenisë nga 11 deri më 20 korrik.
U18 i femrave do të mbahet nga 4 deri më 13 korrik. Kujtojmë që vashat e Kosovës kishin triumfuar këtë verë në Divizionin C në Prishtinë dhe tashmë garojnë në Divizionin B.
Divizioni B i U18 te meshkujt do të organizohet nga 25 korriku deri më 3 gusht në Pitesti në Rumani.
Meshkujt U16 që po ashtu fituan në Divizionin C në Shqipëri, tashmë marrin pjesë në Divizionin B, në Shkup të Maqedonisë Veriore. Ky kampionat organizohet nga 7 deri më 16 gusht.
Shkolla Xhemajl Mustafa (Detroit Pistons) shpallet kampion në edicionin e tretë të JR NBA Kosovës
Në Prishtinë më 6 dhjetor është zhvilluar faza e finale e edicionit të tretë të JR NBA Kosovës. Në fazën finale, kanë marrë pjesë fituesit e Divizioneve, të dy Konferencave. Në finale të kësaj gare, janë ndeshur Xhemajl Mustafa (Detroit Pistons) me shkollën Meto Bajraktari (Denver Nuggets), ku Detroit Pistons triumfoi me shifrat 68:35. Vaso Pasha (Sacramento Kings) zuri vendin e tretë. Unazat e kampionit dhe trofeun e kampionit e kanë ndarë, Kryetari i Federatës së Basketbollit të Kosovës, Arben Fetahu dhe Kryetari i Federatës së Sportit të Republikës së Kosovës, Adrian Telaku.
Ky ishte edicioni i tretë i JR NBA Kosovës, që ka për synim zhvillimin e gjeneratave të reja.
Numri 1 i FIBA Evropës, Jorge Garbajosa vizitoi Kosovën
Presidenti i FIBA Evropës, Jorge Garbajosa për herë të parë më 10 dhjetor ka vizituar Kosovën. Ish-basketbollisti spanjoll u takua me drejtuesit e FBK-së, si dhe është njoftuar me stafin e FBK-së. Ai ka përgëzuar drejtuesit e FBK-së për progresin e arritur, duke ju dëshiruar suksese për programet që kanë për të ardhmen. Drejtuesit e Federatës së Basketbollit të Kosovës, si dhe Garbajosa, kanë qenë të ftuar në Gala Mbrëmjen e organizuar nga Komiteti Olimpik i Kosovës për të shënuar 10 vjetorin e pranimit të KOK në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar.
Mikaile Tmusic dhe Aulona Muhadri, më të mirët e 2024
Federata e Basketbollit e Kosovës më 19 dhjetor ka organizuar eventin shumë të rëndësishëm “Laureatët 2024”, me një mbrëmje gala, ku janë nderuar më të mirët e vitit 2024. Çmimet kryesore i kanë rrëmbyer basketbollisti i Trepçës, Mikaile Tmusic dhe basketbollistja e Bashkimit, Aulona Muhadri.
Në top 5 te femrat kanë hyrë: Arbnore Përquku (KBF Bashkimi), Jeta Zeka (KBF Bashkimi/KBF Penza), Malvina Haziri (KBF Prishtina), Sara Vraniqi (KBF Penza/KBF Peja 03) dhe Aulona Muhadri. Ndërkohë te meshkujt në Top 5 kanë hyrë: Dardan Kapiti (KB Trepça), Gëzim Morina (KB Golden Eagle Ylli), Muhamedali Janjeva (KB Sigal Prishtina), Valon Bunjaku (KB Golden Eagle Ylli/ KB Bashkimi) dhe Mikaile Tmusiq (Trepça).
Skuadra më e mirë në konkurrencën e meshkujve është shpallur KB Trepça, derisa skuadra më e mirë në konkurrencën e femrave: KBF Bashkimi. Trajneri i Vitit është shpallur Lorik Kllokoqi, kurse Ngadhnjim Shabani është shpallur Gjyqtari i Vitit. Shpresa e vitit te djemtë dhe vajzat ishin Yll Kastrati (KB Bora/KB Kerasan) dhe Flutra Mehmeti (KBF Prishtina).
Punëtori Sportiv i Vitit është shpallur Vullnet Sefaja, i cili është president i Trepçës. Ambasadorja e basketbollit të Kosovës jashtë vendit është shpallur Astera Tuhina (Washington State Cougars). Gjithashtu ka pasur çmim të veçantë për Veteran/e: Mithat Belegu te meshkujt dhe Xhevahire Mustafa te femrat. Çmim i veçantë për Kontribuues i basketbollit, ku është nderuar Mexhit Sogojeva.
Çmimi i Publikut Art Motion/Kujtesa kanë shkuar te Malvina Haziri dhe Mikaile Tmusic, të cilët fituan më shumë vota të publikut. Në fillim të këtij eventi është ndarë Çmimi për organizator/mirënjohje: Automita, ku edhe është zhvilluar ky event me rreth 300 të ftuar.