FBK me progres të konsiderueshëm në kuadër të projektit "Safeguarding the Future"

FBK me progres të konsiderueshëm në kuadër të projektit "Safeguarding the Future"

26/11/2024

Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) ka bërë progres të konsiderueshëm në kuadër të projektit "Safeguarding the Future", një iniciativë e financuar nga programi Erasmus+ që synon krijimin e mekanizmave të fuqishëm për mbrojtjen në komunitetet e basketbollit.

Ky projekt po realizohet në bashkëpunim me Federatën Estoneze dhe Bullgare të Basketbollit, si dhe me Shoqatën e Trajnerëve të Basketbollit të Kosovës.

Projekti nisi me një takim hapës (kick-off meeting) në janar, ku të gjithë partnerët u mblodhën për të diskutuar në mënyrë të detajuar implementimin e projektit. Gjatë këtij takimi, ata analizuan objektivat kryesore, ndanë përvojat dhe ekspertizën e tyre, dhe planifikuan hapat e ardhshëm për të siguruar një zbatim efektiv dhe të suksesshëm të iniciativës.

Si pjesë e këtyre aktiviteteve, FBK, së bashku me partnerët nga Estonia dhe Bullgaria, ka zhvilluar një vlerësim të detajuar të nevojave në tre vende: Kosovë, Bullgari dhe Estoni. Procesi filloi me mbledhjen e të dhënave nga grupe të ndryshme të interesit, duke identifikuar nevojat specifike të secilit komunitet të basketbollit. Bazuar në këtë analizë, u zhvilluan politika të mbrojtjes të përshtatura sipas kërkesave unike të secilit vend. Këto politika u shoqëruan me procedura dhe udhëzime shtesë për të ndihmuar në zbatimin efektiv në secilën federatë kombëtare.

Për më tepër, u zhvilluan konsultime me grupet e interesit në Kosovë, Bullgari dhe Estoni, ku morën pjesë trajnerë, gjyqtarë, prindër, lojtarë dhe anëtarë të federatave. Në Kosovë, në këto konsultime morën pjesë 20 individë nga të gjitha kategoritë e komunitetit të basketbollit.

Ky proces konsultimi ka qenë thelbësor për të siguruar që politikat e zhvilluara janë gjithëpërfshirëse dhe efektive. Reagimet e mbledhura nga grupet e interesit kanë ndihmuar në përmirësimin dhe finalizimin e politikave.

Për të siguruar që këto politika, udhëzime dhe procedura janë në përputhje me praktikat më të mira ndërkombëtare, FBK bashkëpunoi ngushtë me ekspertë të fushës nga Mbretëria e Bashkuar.

FBK, në bashkëpunim me federatat e basketbollit të Estonisë dhe Bullgarisë, mbetet e përkushtuar për të vazhduar këto përpjekje dhe për të promovuar masat e mbrojtjes në të gjitha nivelet e basketbollit, duke siguruar një mjedis të sigurt dhe mbështetës për të gjithë pjesëmarrësit.

Strategic Partners

General Sponsors

General Sponsor of the Men’s Superleague
Sponsor of the Kosovo National Teams

Federation Sponsors

Media Partners

Official Partners