Ish-basketbollistja e gjeneratës së artë, Vlora Braha ka qenë e nominuar edhe në një ndeshje të rëndësishme evropiane.
Braha ka qenë e deleguar nga FIBA Evropa si ndihmëse e Delegates Teknike, në takimin Italia-Çekia.
Sfida ishte e vlefshme për FIBA Women’s EuroBasket 2025 Qualifiers, që u zhvillua në 7 nëntor, në Itali.
Braha ka folur për rëndësinë e nominimeve. “Sikur edhe në shkurt kur isha e nominuar për ndeshjen Italia - Turqia (meshkujt), edhe këtë herë në ndeshjen e femrave Italia - Çekia, pesha dhe rëndësia e nominimit ishin të mëdha.
Ndjenja ishte jashtëzakonisht e mirë sepse flet për nivel të lartë të profesionalizmit që FIBA, por edhe Federata e Basketbollit e Kosovës, e kanë vendosur, si dhe sa shumë po punohet”, është shprehur Braha, duke shtuar: “Këtë herë e kam përjetuar prej një këndi tjetër sepse kam qenë e caktuar, edhe si komisionere e ndeshjes dhe besoj e mendoj se ja kam dalë mirë”, theksoi Zyrtarja për Integritet në FBK.
Për të, ishte hera e dytë që nominohet këtë vit. “Fakti që jam nominuar dy herë brenda vitit 2024 në ndeshje aq serioze më bëjnë të ndihem krenare me veten dhe me arritjet e mia. Loja kishte mjaft aksione atraktive, gjersa ‘Azzurre-t’ e Italisë ishin dukshëm më të mira se çeket. E falënderoj FBK-në për këtë mundësi të artë dhe inkurajoj edhe vajzat e tjera që të punojnë fort e të na përfaqësojnë denjësisht në arenën ndërkombëtare”, përfundoi Vlora Braha.