Përfaqësues të institucioneve, federatave dhe të komunitetit sportiv janë bashkuar sërish në platformën “Tryeza e Sportit”, e gjashta më radhë e organizuar nga Ministria e Sportit në bashkëpunim me Komitetin Olimpik të Kosovës.
Në këtë ngjarje ka marrë pjesë edhe Sekretarja e Përgjithshme e Federatës së Basketbollit të Kosovës, Elvira Dushku dhe Zëvendës Sekretari i Përgjithshëm dhe Menaxheri i Përfaqësueseve, Adriatik Rraci.
Në Tryezën e gjashtë të Sportit është diskutuar për risitë e Ligjit të Sportit, nga të cilat përfiton i gjithë komuniteti sportiv në Republikën e Kosovës. Temat të cilat janë trajtuar gjatë Tryezës ishin:
- ndryshimet e nevojshme statutore të organizatave sportive
- detyrat dhe përgjegjësitë e federatave, si dhe procedura e lejimit të veprimtarisë së tyre
- statusi i klubeve sportive dhe regjistrimi i tyre
- licencimi i trajnerëve, instruktorëve dhe agjentëve sportiv
- kujdesi për sportistët, masat për mbrojtjen e të drejtave dhe mirëqenies së sportistëve
- detyrimet kontraktuale ndaj sportistëve
- zhvillimi i sportit në të gjitha nivelet dhe garat ndërkombëtare
- procedura e regjistrimit të skollave të sportit, qendrave të fitnesit dhe qendrave sportive
- sistemi i ri i financimit të sportit, lidhja me performancën, transparencën dhe auditimin
- të drejtat e transmetimit dhe reklamat gjatë garës sportive
- drejtësia sportive
- papajtueshmëria në ushtrimin e funksioneve në sport, dhe
- tema tjera nga nenet përkatëse të Ligjit.
Pjesëmarrës ishin përfaqësues nga MKRS, MPB, KOK, komunat, Agjencia Anti-Doping, Qendra e Mjekësisë Sportive, Komiteti Paralimpik, Olimpiada Speciale dhe Shoqata e Sporteve për të Shurdhërit në Kosovë.
U diskutua gjithashtu për zhvillimin e sportit në të gjitha nivelet dhe garat ndërkombëtare, procedurat e regjistrimit të shkollave të sportit, qendrave të fitnesit dhe qendrave sportive, sistemi i ri i financimit të sportit, lidhja me performancën dhe transparencën e auditimin.
Në hapje folën zëvendësministrja Daulina Osmani dhe presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi.