Bashkimi vazhdon të jetë skuadra e vetme pa humbje në ProCredit Superligë. Prizrenasit në xhiron e gjashtë shënuan fitore kundër Sigal Prishtinës 93:80 (27:27, 23:12, 24:19, 19:22).
Në një super atmosferë, ndeshja nisi e baraspeshuar dhe çereku i parë përfundoi 27:27. Por, vendasit të përkrahur nga tifozët, filluan shkëputjen në periudhën e dytë, që e fituan 23:12, për të shkuar në pushim 50:39.
Bardhekaltrit tentuan të rikthehen në periodën e tretë, por në fund të kësaj pjesë, prizrenasit me shtatë pikë radhazi, ngritën epërsinë në 74:58, ndërsa në dhjetë minutat e fundit e shtuan në 93:66. Prishtinasit ngushtuan paksa epërsinë, por nuk arritën rikthimin dhe Bashkimi regjistroi fitoren e gjashtë në gjashtë takime, kurse bardhekaltrit kanë katër fitore e dy humbje.
Te vendasit u dalluan Meriton Ismaili me 17 pikë, Lejson Zeqiri me 18, kurse 12 shtoi Samir Zekiqi, ndërsa te mysafirët u dalluan Jalen Moore me 25 pikë, tetë kërcime e gjashtë asistime dhe Daniel Lekndreaj me 18 pikë.