Trepça me rikthim ka shënuar fitore ndaj Pejës me rezultat 94:85 (16:24, 26:25, 32:18, 20:18) në javën e gjashtë të ProCredit Superligës së Kosovës në basketboll.
Verdhezinjtë e nisën ndeshjen për mrekulli dhe qysh në çerekun e parë krijuan epërsi prej 11 pikësh 6:17, derisa këtë pjesë e fituan 16:24. Mysafirët ishin në epërsi konstante në periudhën e dytë, që ishte më e balancuar, duke shkuar në pushim me rezultat 42:49.
Por, kampionët nuk u dorëzuan dhe u rikthyen në pjesën e dytë, përkatësisht periodën e tretë, ku barazuan shifrat në 66:66, e kaluan në epërsi 74:66, derisa në dhjetë minutat e fundit, kishin 15 pikë epërsi, 82:67, derisa në fund triumfuan 94:85.
Te vendasit u dalluan Mouhamed Barro me 14 pikë e 11 kërcime dhe Malik Johnson me 24 pikë e pesë asistime, kurse te mysafirët më i dalluari ishte Darnell Coëart me 20 pikë, shtatë kërcime e katër asistime.
Trepça ka katër fitore e dy humbje, ndërsa Peja dy fitore e katër humbje.