Trepça u rikthye te fitoret, duke mundur në udhëtim Proton Cable Prizrenin me shifrat 68:89 (14:22, 14:30, 18:13, 22:24), në javën e pestë të ProCredit Superligës.
Mitrovicasit e nisën ndeshjen më mirë, duke pasur epërsi konstante në çerekun e parë, që e fituan 14:22, derisa me lojë të mirë vazhduan edhe në periudhën e dytë, që e fituan 14:30, për të shkuar në pushim me rezultat 28:52.
Në pjesën e dytë, ‘Xehetarët’ menaxhuan epërsinë për të shkuar drejt fitores dhe përkundër tentimeve nga vendasit, arritën synimin për të triumfuar 68:89.
Te vendasit u dallua Jordan Johnson me 21 pikë, pesë kërcime e tetë asistime, kurse te mysafirët u dalluan Desmond Cambridge me 20 pikë e katër kërcime dhe Malik Johnson me 20 pikë, pesë kërcime e shtatë asistime.
Proton Cable Prizreni ka një fitore e katër humbje, derisa Trepça numëron tri fitore e dy humbje.