Sekretarja e Përgjithshme e Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK), Elvira Dushku së fundi ka diplomuar me sukses në programin MESGO (The Executive Master in Global Sport Governance - MESGO).
Programi MESGO ka zgjatur dy (2) vjet 2022-2024 dhe i ka pasur gjithsej 9 sesione, të cilat janë mbajtur në vende të ndryshme të botës, derisa ceremonia e diplomimit është organizuar në fundjavën e kaluar në selinë qendrore të UEFA në Nyon.
Sekretarja e Përgjithshme e FBK-së për këtë program ka marrë mbështetje nga FIBA, Ministria për Kulturë, Rini e Sport e Kosovës dhe Komiteti Olimpik i Kosovës.
MESGO është një program unik i krijuar për profesionistët e sektorit të sportit që dëshirojnë të zotërojnë dimensionet komplekse dhe diversitetin e praktikave ndërkombëtare që lidhen me sportin profesional në nivel ndërkombëtar.
“Jam shumë krenare për arritjen time në diplomimin në programin MESGO. Ky program unik më ka ofruar një perspektivë të re dhe të pasur në fushën e sportit ndërkombëtar. Një përvojë e mrekullueshme dhe e pasur që do të ndikojë në punën time në Federatën e Basketbollit të Kosovës dhe ndërkombëtarisht. Faleminderit të gjithë kontribuuesve që kanë qenë pjesë e këtij rrugëtimi tim të suksesshëm”, u shpreh Elvira Dushku, Sekretare e Përgjithshme e FBK-së.