Rami Hadar ka dhënë dorëheqje për arsye personale si përzgjedhës i Kosovës A te meshkujt.
Hadar ishte emëruar përzgjedhës i Kosovës në maj të vitit 2023.
Ai udhëhoqi Dardanët në parakualifikimet e Eurobasket 2025, në përballjet me Zvicrën dhe Danimarkën, duke pasur dy fitore dhe dy humbje. Kosova shënoi dy fitore ndaj Zvicrës, si dhe pësoi nga Danimarka.
Gjithashtu Hadar ishte trajner i Kosovës në dy ndeshjet parakualifikuese për Kupën e Botës 2027, ku Kosova fitoi ndaj Irlandës dhe pësoi nga Azerbajxhani.
Hadar ka falënderuar të gjithë për bashkëpunimin, duke ju dëshiruar suksese në të ardhmen.
Bordi i Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK) ka pranuar dorëheqjen e tij.
FBK falënderon trajnerin Rami Hadar për angazhimin e tij dhe i dëshiron suksese në karrierë.
Federata e Basketbollit e Kosovës ka filluar negociatat me trajnerë potencial për të udhëhequr Dardanët, ku përzgjedhësi i ri pritet të emërohet shumë shpejt. Ndërkohë, ndeshjet e ardhshme për Dardanët janë në muajin nëntor, kundër Zvicrës dhe Irlandës për parakualifikimet e Kupës së Botës 2027.