Peja 03 në një super ndeshje me super dramë, ka shënuar fitore ndaj Junior 06, me rezultat 62:60 (14:17, 15:15, 20:8, 13:20), ku në sekondën e fundit ka shënuar organizatorja amerikane, Tae'lor Earlene Willard, duke i siguruar skuadrës pejane kalimin në gjysmëfinale.
Takimi ka qenë mjaft interesant dhe i barabartë nga fillimi deri në fund. Në pjesën e parë, asnjëra skuadër nuk arrinte të shkëputej, duke përfunduar 29:32, për prizrenaset.
Në periodën e tretë dominuan vendaset 20:8, por asgjë nuk kishte përfunduar me mysafiret që rikthehen për të barazuar shifrat në 60:60. Hero e vendasve ishte Tae'lor Earlene Willard me një depërtim në sekondat e fundit, ku shënoi pikët e fitores.
Në gjysmëfinale Peja 03, të martën përballet me Prishtinën.
Williard e mbylli ndeshjen me 32 pikë, katër kërcime e katër asistime, kurse te mysafiret, Merisa Bilalli kishte 17 pikë e pesë kërcime.