Në Prizren filloi Superkupa e Kosovës në basketboll. Trepça depërtoi në gjysmëfinale, por jo pa vështirësi, pasi mundi Borën me rezultat 85:76 (22:23, 19:21, 20:18, 24:14).
Ndeshje tërësisht e barabartë u zhvillua në pjesën e parë, ku asnjëra skuadër nuk arrinte të shkëputej, duke bërë që të zhvillohet një ndeshje shumë e fortë në Prizren. Çereku i parë ishte 22:23, derisa i dyti 19:21, ku skuadra prishtinase shkoi në pushim me tri pikë epërsi 41:44.
Në periudhën e tretë, prishtinasit u shkëputën në 48:57, por mitrovicasit u rikthyen dhe shifrat pas 30 minutash ishin 61:62. Në dhjetë minutat e fundit, kampionët e Kosovës u rikthyen për të bërë përmbysjen dhe për të fituar 85:76.
MVP i ndeshjes ishte Sammy Hunter i Trepçës me 24 pikë e 12 kërcime.