Kryetari i Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK), Arben Fetahu, dhe Sekretarja e Përgjithshme, Elvira Dushku, kanë pritur sot në takim përfaqësuesit e klubit 3x3 Prishtina, Fikret Shatri dhe Fisnik Juniku. Në këtë takim, u nderua Klubi 3x3 Prishtina me një mirënjohje të veçantë nga Kryetari Fetahu, si shenjë falënderimi për angazhimin dhe organizimin e suksesshëm të eventeve të basketbollit 3x3, duke promovuar këtë kategori të rëndësishme të sportit.
Gjatë diskutimeve, u theksua rëndësia e vazhdimit të organizimeve të ngjashme, jo vetëm për pjesën e mbetur të këtij viti, por edhe për vitet e ardhshme. FBK ritheksoi përkushtimin e saj për të mbështetur çdo iniciativë që ndihmon në promovimin dhe zhvillimin e basketbollit në Kosovë.
Kujtojmë që këtë verë, Kosova ka qenë nikoqire e tre ngjarjeve të mëdha ndërkombëtare të basketbollit 3x3: FIBA 3X3 Europe Cup Qualifier, FIBA 3X3 Women’s Series, dhe FIBA 3X3 Challenger Prishtina, dy të fundit të organizuar nga 3x3 Prishtina në përkrahje nga FBK. Këto organizime kanë shërbyer si dëshmi e kapaciteteve të Kosovës për të pritur dhe organizuar evenimente të këtij niveli, duke ngritur profilin e basketbollit 3x3 në vendin tonë.
FBK mbetet e angazhuar në përkrahjen e aktiviteteve që rrisin popullaritetin dhe cilësinë e basketbollit në Kosovë, duke siguruar se çdo hap në këtë drejtim do të ketë mbështetjen e saj të plotë.