Norvegjia është shpallur kampione e FIBA Kampionatit Evropian për Shtete të Vogla për femra, që u mbajt nga 25 qershori në Prishtinë.
Norvegjia në finale ka mundur Maltën me rezultat 54:61, në një ndeshje që ishte e luftuar nga fillimi deri në fund.
Takimi ishte interesant me Maltën që e nisi ndeshjen më mirë, megjithatë, norvegjezet u rikthyen shpejt për të përfunduar çerekun e parë 19:17. Dallimi i madh dhe vendimtar u bë në periudhën e tretë, që Norvegjia e fitoi 22:10 dhe triumfoi në fund 54:61.
Medaljet i kanë dorëzuar: të bronztat Leart Hoxha dhe Rrahman Përteshi, të argjendtat Teuta Abdullahu dhe Shemsije Stublla dhe të artat Arben Fetahu dhe Elvira Dushku.
Në Top 5 të këtij Evropiani kanë hyrë: Amber Melgoza e Maltës, Tori Halvorsen dhe Aurora Sorbye të Norvegjisë, Marissa Pangalos e Qipros dhe Ornela Lalaj e Shqipërisë.
Çmimet i kanë ndarë Adriatik Rraci, Zëvendës Sekretar i Përgjithshëm dhe Menaxher i Përfaqësueses të Kosovës dhe Granit Rugova, Drejtor i Programeve dhe Projekteve Zhvillimore në FBK.
Ndërkohë, MVP është shpallur Amber Melgoza e Maltës, që e ka ndarë Elvira Dushku, Sekretare e Përgjithshme e FBK-së.
Trofeun e kampionit për kapitenin e Norvegjisë e ka ndarë Arben Fetahu, Kryetar i FBK-së.
Para fillimit të ceremonisë, Fetahu ka pranuar çmimin e organizatorit për organizimin shumë të mirë, që e ka ndarë Milan Brziak, komesionar i FIBA-s.
Në këtë Evropian, Shqipëria u rendit e treta pasi mundi Qipron 73:61.
Kosova është renditur e pesta. Kosova në ndeshjen për vendin e pestë fitoi ndaj Armenisë 53:39.
Në ndeshjen për vendin e shtatë, Andorra mundi Gjeorgjinë 80:49.
Evropiani u zhvillua nga 25 deri më 30 qershor, ku morën pjesë tetë shtete, që ishte hera e parë për vendin tonë që organizon një event të tillë dhe hera e parë që vashat e Kosovës luajnë në shtëpi.