Federata e Basketbollit e Kosovës ka organizuar aktivitetin me fëmijët dhe basketbollistet që po marrin pjesë në FIBA Kampionatin Evropian për Shtete të Vogla në Prishtinë.
Ky event është zhvilluar me moton "Believe&Bounce" dhe ka për qëllim fuqizimin e vajzave të reja në basketboll.
Aktiviteti është mbajtur në kuadër të Programit FIBA European Youth Leadership, i përkrahur nga FIBA dhe organizata e saj Basketball For Good.
Ky aktivitet është organizuar në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë, në ditën e pushimit të garave, pasi ndeshjet do të vazhdojnë në fundjavë.
Aktiviteti është zhvilluar në formatin e stërvitjes, ku kanë marrë pjesë fëmijët e grupmoshave U12 dhe U14, së bashku me lojtaret e shteteve pjesëmarrëse.
Fëmijëve u janë drejtuar Edita Medunjanin, Menaxhere e Projekteve në FBK, Granit Rugova, Drejtor i Programeve dhe Projekteve Zhvillimore, si dhe Edona Thaqi, ndihmëstrajnere e Kosovës A, e cila njëkohësisht ka mbajtur edhe stërvitjet, duke ju treguar për rëndësinë e këtij organizimi.
Fëmijët kanë pasur rastin të mësojnë nga lojtaret me përvojë dhe njëkohësisht të stërviten së bashku me to, si dhe t’u bëjnë pyetje për përvojat e tyre në basketboll.
Gjithashtu fëmijëve në fund u janë dhuruar librat “Loja me ngjyra”, që është e përgatitur nga FBK.