Bordi i Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK) në mbledhjen e mbajtur më 06.06.2024 në Prishtinë ka vlerësuar lartë përmbylljen me sukses të edicionit 2023/24 të të gjitha garave që organizohen në kuadër të FBK-së dhe për këtë ka falënderuar të gjitha klubet për përkushtimin dhe punën e palodhshme.
Gjithashtu Bordi i FBK-së ka falënderuar të gjithë trajnerët, lojtarët, stafin mbështetës, Ministrinë për Kulturë, Rini e Sport të Kosovës (MKRS), sponsorët, partnerët mediatikë, dhe tifozët për mbështetjen dhe angazhimin e tyre të vazhdueshëm.
Bordi i Federatës së Basketbollit të Kosovës ndër të tjera:
- Ka miratuar Raportet e Punës të Komesarëve të Garave në FBK për edicionin 2023/24 dhe të gjitha raportet e tjera të punës, si dhe ato financiare për aktivitetet e mbajtura në periudhën prill-maj.
- Ka vendosur që të ndaj informatat dhe të filloj bisedimet me klubet për pjesëmarrje në gara ndërkombëtare të FIBA-s në të dyja konkurrencat për edicionin 2024/25.
- Ka vendosur që të krijojë identitetin e ri për Superliga Meshkujt që nga edicioni i ri 2024/25.
- Ka vendosur që Kuvendi Zgjedhor i FBK-së të mbahet pas përfundimit të Lojërave Olimpike Paris 2024, si dhe e ka autorizuar Sekretaren e Përgjithshme të filloj përgatitjet për këtë kuvend.