Ky edicion përfundoi me dramë mes Trepçës dhe Golden Eagle Yllit, 67:66, duke u përmbyllur ashtu si nisi.
Pothuajse gjatë tërë kampionatit u zhvilluan ndeshje interesante e me dramë, derisa interesimi ishte i madh.
Trepça, u shpall kampione, derisa përfundoi edicionin me katër trofe, titullin e kampionit, Kupën e Kosovës, Superkupën e Kosovës dhe Ligën Unike, për herë të parë në histori të klubit mitrovicas, që rikthye titullin për herë të parë pas vitit 2012.
‘Xehetarët’ përfunduan në vendin e parë në garat e rregullta me 25 fitore e tri humbje, kurse në gjysmëfinale mposhtën Sigal Prishtinën 3:0, derisa në finale Golden Eagle Yllin 3:2.
Ndërkohë, therandasit në çerekfinale të “Play-off”-it eliminuan Bashkimin 2:0 dhe Pejën 3:2.
Peja dhe Golden Eagle Ylli përfunduan kampionatin me 19 fitore e nëntë humbje, por pejanët ishin më të mirë në ndeshjet direkte dhe përfunduan në vendin e dytë, duke u kualifikuar direkt në gjysmëfinale.
Sigal Prishtina u rendit e katërt me 16 fitore e 12 humbje, kurse i pesti Vëllaznimi me 13 fitore e 15 humbje. Në çerekfinale bardhekaltrit fituan 2:1 në “Play-off”.
Bashkimi u rendit i gjashti me 11 fitore e 17 humbje, ku në çerekfinale u mposht nga Golden Eagle Ylli 2:0.
Skuadra tjetër prizrenase, Proton Cable Prizreni u rendit e shtata për të luajtur në “Play-out”, duke u ndeshur me Neë Basket dhe në dy përballjet fitoi, ku sërish në edicionin e ardhshëm do të jetë pjesë e garave të elitës.
Në garat e rregullta, Istogu u rendit i fundit, me një fitore e 27 humbje, ku fitoren e vetme e kishte ndaj Bashkimit.
Edicionin e ardhshëm, pjesë e garave të elitës do të jetë Bora, që përfundoi Ligën e Parë pa asnjë humbje.