Sot është ndeshja e fundit për këtë edicion në basketbollin e Kosovës.
Ky edicion do të përfundojë me super finalen e pestë mes Trepcës dhe Golden Eagle Yllit.
Kush triumfon në këtë finale do të shpallet kampion i Kosovës, një edicion që ka qenë i jashtëzakonshëm dhe interesimi është i jashtëzakonshëm për sfidën e pestë.
Në “Play-off”, seria finale është 2:2, ku të dy skuadrat shënuan fitore si vendas. Mitrovicasit fituan 77:68 dhe 85:78, derisa therandasit fituan 80:79 dhe 75:71.
“Xehetarët” në edicionin e rregullt përfunduan në vendin e parë me 25 fitore e tri humbje, kurse therandasit në vendin e tretë me pikë të barabarta me Pejën që ishte e dyta me 19 fitore e nëntë humbje. Trepça në gjysmëfinale eliminoi Sigal Prishtinën 3:0, derisa Golden Eagle Ylli, në çerekfinale mundi Bashkimin 2:0 dhe Pejën në gjysmëfinale 3:2.
Ylli e ka fituar dy herë, më 2021 dhe 2022, kurse Trepça më 1993, 2000, 2001 dhe 2012.
Ndeshja zhvillohet sonte nga ora 19:00 dhe transmetohet në Kujtesa dhe Art Motion.