Trepça është kualifikuar në finale të “Play-off”-it në Prince Caffe Superligë. Mitrovicasit në ndeshjen e tretë të serisë gjysmëfinale shënuan fitore ndaj Sigal Prishtinës me rezultat 82:69 (24:19, 21:12, 18:18, 19:20).
Pas një fillimi të barabartë, mitrovicasit u shkëputën deri në dhjetë pikë epërsi, 24:14, por me pesë pikë radhazi nga prishtinasit, çereku i parë përfundon 24:19. ‘Xehetarët’ vazhduan me lojë të mirë në periudhën e dytë, për tu shkëputur më shumë, ku epërsia më e thellë ishte 16 pikë, 38:22, derisa pjesa e parë përfundoi 45:31.
Perioda e tretë ishte më e barabartë, me bardhekaltrit që tentuan të afrohen në rezultat dhe mitrovicasit që ruajtën epërsinë e krijuar, derisa shifrat pas 30 minutash ishin 63:49. Në dhjetë minutat e fundit, kryeqytetasit ngushtuan shifrat në 75:67, megjithatë, Trepça sërish u shkëput dhe triumfoi në fund 82:69.
Më i miri te Trepça ishte Brandon Edwards me 20 pikë e 12 kërcime, derisa te Sigal Prishtina, Donte Clark dhe Malcolm Armstead shënuan nga 16 pikë.
Trepça në finale e pret fituesin e ndeshjes Peja-Golden Eagle Ylli, ku rezultati momental është 1:2 për therandasit.