Bashkimi ka shënuar fitore shumë të vlefshme, duke mundur rivalin e qytetit, Proton Cable Prizrenin me rezultat 77:58 (15:19, 25:17, 19:14, 18:8), në javën e 18-të të Prince Caffe Superligës.
Pas një fillimi të barabartë, basketbollistët e Prizrenit shkëputën në 11:18, derisa cereku i parë përfundoi 15:19. Portokallezinjtë u rikthyen në periudhën e dytë, duke bërë përmbysjen për tu shkëputur në 11 pikë dallim, 40:29, por me shtatë pikë radhazi nga mysafirët, pjesa e parë përfundon 40:36.
Perioda e tretë ishte interesante, por në fund të saj Bashkimi shkëputet për 59:50, dhe vazhdon me lojë të mirë në dhjetë minutat e fundit për të triumfuar 77:58.
Te Bashkimi u dalluan Altin Morina me 17 pikë e pesë kërcime dhe Erik Copes me dhjetë pikë e 11 kërcime, ndërsa te Proton Cable Prizreni u dalluan Arti Hajdari me 18 pikë e nëntë kërcime dhe Isaiah Kelly me 18 pikë e 12 kërcime.
Bashkimi është në vendin e gjashtë me shtatë fitore e 11 humbje, kurse Proton Cable Prizreni në vendin e shtatë me pesë fitore e 13 humbje.