Mesazhi i Kryetarit Arben Fetahu për edicionin e ri 2026/27

Mesazhi i Kryetarit Arben Fetahu për edicionin e ri 2026/27

19/09/2026

Të nderuar basketbollistë/e, trajnerë/e, drejtues të klubeve, gjyqtarë, punëtorë sportivë, partnerë, përfaqësues të mediave dhe të gjithë dashamirësit e basketbollit,

Me fillimin e edicionit të ri 2026/27, hapim një kapitull të ri të basketbollit të Kosovës, me shumë ambicie, energji dhe besim në rrugën që kemi ndërtuar së bashku.

Po hyjmë në këtë edicion me synimin e qartë që basketbolli ynë të vazhdojë të zhvillohet, të rrisë cilësinë dhe të forcojë edhe më shumë pozitën e tij si një nga sportet më të dashura në vend.

Çdo edicion i ri sjell sfida të reja, por njëkohësisht edhe mundësi të reja. Pikërisht këto sfida na motivojnë që të punojmë edhe më shumë, të jemi më të përgjegjshëm dhe të vazhdojmë të investojmë në ngritjen e standardeve të basketbollit të Kosovës.

Federata e Basketbollit e Kosovës ka hyrë në një fazë të rëndësishme zhvillimi, të mbështetur në vizionin dhe objektivat e Strategjisë 2026–2030. Synimi ynë është i qartë: zhvillim i qëndrueshëm, ngritje e cilësisë së garave, fuqizim i klubeve, zhvillim i gjeneratave të reja dhe avancim i basketbollit në çdo nivel.

Në këtë rrugëtim, klubet janë një prej shtyllave kryesore të basketbollit tonë. FBK do të vazhdojë të jetë pranë tyre dhe të punojë në partneritet me të gjitha Grupet e Interesit, në të dy konkurrencat dhe në të gjitha kategoritë, me qëllim që garat tona të jenë sa më cilësore, profesionale dhe tërheqëse për publikun.

ProCredit Superliga 2026/27 pritet të sjellë shumë rivalitet, emocione dhe ndeshje të forta. Por, krahas rezultateve sportive, përgjegjësia jonë e përbashkët është që të ruajmë dhe promovojmë vlerat e sportit: respektin, korrektësinë, profesionalizmin dhe frymën e garës së ndershme.

Një falënderim i veçantë shkon për tifozët, të cilët janë zemra e basketbollit tonë. Prania, pasioni dhe mbështetja e tyre i japin kuptim çdo ndeshjeje dhe e bëjnë basketbollin një festë të vërtetë sportive. Uroj që edhe këtë edicion palestrat tona të jenë të mbushura me tifozë dhe me atmosferën që e karakterizon basketbollin e Kosovës.

Falënderoj gjithashtu partnerët, sponsorët, institucionet, mediat dhe të gjithë ata që vazhdojnë ta mbështesin basketbollin e Kosovës. Kontributi i secilit është pjesë e rëndësishme e zhvillimit dhe sukseseve tona.

Ju uroj të gjitha klubeve, basketbollistëve, trajnerëve dhe të gjithë akterëve të basketbollit shumë suksese, shëndet dhe një edicion sa më të mbarë.

Me respekt,

Arben FETAHU

Kryetar

Federata e Basketbollit e Kosovës

Strategic Partners

General Sponsors

General Sponsor of the Men’s Superleague
Sponsor of the Kosovo National Teams

Media Partners

Federation Sponsors

Official Technical Partner

Official Partners